Udhëtime frymëzuese

Ndiqni historitë e akademikëve dhe ekspeditat e tyre kërkimore

Legjenda e shenjës së shqiponjë

Akademia AL

Tue, 30 Jun 2026

Legjenda e shenjës së shqiponjë
“Mbret i nderuar,” iu përgjigjën lajmëtarët në një zë. Çudia ka ndodhur në gjithë mbretërinë.
Kjo tregon se ne i përkasim të njëjtit fis, jemi një gjak. Prandaj duhet të bashkohemi dhe t’i bëhemi krah njëri-tjetrit, ashtu siç Shqiponja i mbron zogjtë e saj, tha mbreti.
Në kohët e lashta, kur toka dhe qielli dukeshin ende afër njëri, tjetrit, thuhet se ekzistonte një mbretëri e madhe që shtrihej sa të zinte syri. Malet, fushat, lumenjtë, pyjet dhe gjithçka që jetonte mbi to ishin nën sundimin e një mbreti të drejtë.
Ky mbret kishte tre fëmijë: Trimin, Fisnikun dhe Diellën. Ata rriteshin në paqe të plotë, pa njohur grindje apo fjalë të rënda. Aq e pastër ishte jeta e tyre, saqë fama e lumturisë së kësaj familjeje mbërriti deri në mbretërinë e qiellit.

Mbreti i qiellit, kur dëgjoi për këtë lumturi mbi tokë, nuk e pranoi si të vërtetë. Ai dërgoi një nga besnikët e tij që ta shihte me sytë e vet.
I dërguari zbriti në tokë dhe gjeti pa vështirësi pallatin e mbretit. Askush nuk e ndaloi dhe askush nuk e pyeti. Ai hyri në brendësi të mbretërisë si një hije që kalon mbi tokë.
Para tij u shfaq një kopsht i madh, i mbushur me lule dhe pemë të larta. Në mes të tij ndodhej mbreti, i rrethuar nga fëmijët e tij, duke jetuar jo si sundimtar, por si njeri mes njerëzve.
Vajza, Diella, e pa e para të huajin dhe u step, sepse fytyra e tij nuk i ngjante asnjë njeriu që kishte parë më parë: e zbehtë si drita e hënës, me flokë të bardhë si bora e maleve dhe me mjekër të gjatë.
Por i dërguari foli me qetësi dhe respekt, dhe frika e saj u shua.
Ai u prezantua dhe kërkoi të takonte mbretin.
Mbret i nderuar, tha i dërguari, fama jote ka mbërritur deri në qiell. Mbreti im dëshiron të dijë: cili është sekreti i kësaj lumturie?
Mbreti i tokës iu përgjigj:
Për ta kuptuar, duhet të qëndrosh mes nesh dhe ta shohësh vetë jetën tonë.
I dërguari qëndroi në atë mbretëri. U prit me nder, u ushqye me bollëk dhe udhëtoi nëpër gjithë vendin.
Ai pa toka të begata, pyje të pafund, lumenj të pastër dhe njerëz që jetonin në paqe. Çdo gjë dukej e lidhur me një harmoni të fshehtë, si të ishte një ligj i padukshëm që mbante gjithçka në ekuilibër.
Kur u kthye, tha:
O mbret i tokës, nuk kam parë kurrë një mbretëri si kjo. Kërko tri dëshira dhe do t’i plotësoj me lejen e mbretit tim.
Por mbreti u përgjigj:
Nuk dua as fuqi, as pasuri, as pavdekësi. Dua vetëm një shenjë nga mbreti i qiellit, që të mbetet për fëmijët e mi dhe për brezat që do të vijnë.
I dërguari u ngrit dhe tha:
Kjo dëshirë do të plotësohet.
Dhe vendosi mbi gjokset e mbretit, familjes së tij dhe gjithë mbretërisë një shenjë të përbashkët: figurën e Shqiponjës.
Ai tha:
Kjo shenjë do të trashëgohet brez pas brezi. Ajo do t’ju njohë si një fis të vetëm, edhe kur gjuhët të ndryshojnë, edhe kur kufijtë të ndahen. Dhe do të jetë mbrojtja juaj në çdo kohë.
Pastaj u ngrit në qiell dhe u zhduk mes dritës.
Koha kaloi.
Një ditë, fëmijët e mbretit vunë re shenjën në gjokset e tyre. E njëjta shenjë ishte edhe tek prindërit e tyre.
Atëherë u kuptua se kjo nuk ishte rastësi.
Mbreti urdhëroi të kontrollohej gjithë mbretëria, dhe kudo u gjet e njëjta shenjë.
Dhe mbreti tha:
Ne jemi një gjak, një fis. Duhet të qëndrojmë së bashku, si Shqiponja që mbron zogjtë e saj. Kjo shenjë do të jetë flamuri ynë.
Që nga ajo kohë, kjo legjendë u ruajt brez pas brezi, si kujtim se lumturia nuk lind nga fuqia e njërit, por nga bashkimi i të gjithëve.
Nga Dardanus23
Epilog i një dorëshkrimi të lashtë
Në fund të këtij shkrimi, i cili është ruajtur nga kohët që nuk mbahen mend më, mbetet kjo dëshmi e fundit e shkruar si kujtesë dhe paralajmërim:
Nuk përmenden këtu emra të ndërmjetësve, as figura të shumta të rrëfimeve të mëvonshme të njerëzve, sepse Mbreti i Qiellit është Një dhe i pandashëm, mbi çdo kohë dhe mbi çdo popull.
Thuhet se ai nuk është larguar kurrë, por vetëm është fshehur nga syri i njeriut, duke lënë shenjën e tij mbi tokë si kujtim dhe besëlidhje.
Dhe thuhet më tej, se do të vijë një ditë kur rendi i harruar do të rikthehet, dhe drejtësia e parë do të ngrihet sërish mbi tokë, ashtu si në fillimet e krijimit.
Atëherë toka nuk do ta kërkojë më mbretin e saj si të huaj, por do ta njohë si të vetin, sepse gjaku i tij nuk është shuar kurrë. Ai ka mbetur mes njerëzve, i shpërndarë në breza, si një kujtesë e heshtur dhe si një premtim që pret kohën e vet për t’u përmbushur.
Andaj kështu mbyllet kjo dëshmi, jo si fund, por si pritje

0 Komentet

Lini një koment